
Në një punishte të vogël në Ishull-Lezhë, Gjovalin Ndreu i jep jetë tingujve të traditës shqiptare. Mes aromës së drurit dhe veglave të punës, 62-vjeçari punon çdo ditë prej kater dekadash për të prodhuar instrumente muzikore popullore, nga çiftelia e sharkia, deri tek lahuta.Ky zanat, thotë ai, është trashëgimi familjare, pasi mjeshtërinë e ka marrë nga babai i tij dhe prej vitesh ka vijuar të njëjtën rrugë, edhe pse puna nuk është aspak e lehtë.
Teksa demonstron teknikën e punës, ai shpjegon se çdo instrument kërkon shumë përkushtim dhe punë të imët. Sipas tij, në një muaj arrin të prodhojë deri në pesë instrumente muzikore.
Kërkesat për instrumentet tradicionale mbeten të konsiderueshme, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga shqiptarët jashtë kufijve dhe te huajt. Megjithatë, Gjovalini thotë se këtë zanat e mban më shumë nga pasioni sesa për fitim.
Krahas prodhimit të instrumenteve, Gjovalini Ndreu është edhe interpretues i çiftelisë.Ai ka edhe një mesazh për brezin e ri: të mos i harrojnë dhe të ruajnë traditat folklorike shqiptare.
Në një kohë kur traditat po zbehen, puna e Gjovalin Ndreut mbetet një dëshmi e gjallë e pasurisë folklorike shqiptare.






