Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror në Shkodër ka vendosur deri tani 50 gjoba ndaj atyre subjekteve që nuk zbatojnë ligjin anti-duhan në mjediset e tyre të brendshme.
Në këtë mënyrë viti 2016 ka nisur intensivisht për ISHSH-në e Shkodrës e cila është e vendosur për të mos toleruar më ndaj asnjë lloj subjekti privat apo shtetëror që nuk zbaton ligjin për të mos lejuar pirjen e duhanit në mjedise të mbyllura. Në fillim të vitit Inspektoriati i Shkodrës ishte ndër më të kritikuarit nga ana e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja gjatë një analize. Në këtë mënyrë të gjithë inspektorët e Shkodrës bashkë me kryeinspektorin qartazi janë kritikuar duke rrezikuar edhe largimin nga puna në rast se performance e tyre nuk rritet. Tashmë pas disa fushatave sensibilizuese dhe paralajmëruese për të gjitha subjektet në Shkodër, trupa e isnpektoriatit është e vendosur për të mos toleruar duke qenë se kanë një afat deri me 15 mars nga ana e Ministrisë se Shëndetësisë. Në këtë mënyrë kontrollet dhe aksionet për zbatimin e ligjit anti-duhan janë shtuar ndjeshëm dhe bashkë me to edhe gjobat e vendosura. Në vetëm 3 muaj numri i gjobave të vendosura në Shkodër ka arritur në 50 ndërkohë që gjatë gjithë vitit të kaluar nuk janë vendosur më shumë se 24 gjoba në total prej të cilave vetëm 6 në subjektet private dhe të tjerat në ato shtetërore që nuk ka zbatuar ligjin anti-duhan. Gjatë vitit të kaluar ISHSH ashtu si edhe disa institucione të tjera ishte pjesë e task-forcës pranë drejtorisë së tatimeve në luftën kundër informalitetit. Pas normalizimit inspektorët tashmë janë përqendruar tek kontrollet për duhanin. Kështu të gjitha subjektet që deri tani nuk e kanë respektuar ligjin anti-duhan duhet të marrin masat e duhura ose në të kundërt do të ndëshkohen me gjobat përkatëse që nisin nga 3 milion lekë të vjetra. Po ashtu burime pranë ISHSH-së së Shkodrës bëjnë me dije se pjesë e këtyre aksioneve nuk do të jetë vetëm qendra Shkodrës por edhe të gjitha pjesët periferike apo subjektet e vogla në mes të lagjeve të qytetit. Për këto 3 muaj të këtij viti pas Tiranës, Shkodra është e dyta përsa i përket numrit të gjobave në rang kombëtar por sërish duke parë situatën dhe lejimin e prijes së duhanit në mjedise të mbyllura është e pamjaftueshme dhe inspektorët e ISHSH nuk do të ndalen me vendosjen e gjobave derisa të ligji anti-duhan të zbatohet me përpikmëri.