Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ndryshim në ligjin për procedurat tatimore, ku gjobat për shkelje të ndryshme tatimore u dhjetëfishuan në krahasim me ligjin e mëparshëm, masa me të cilat qeveria thotë se synon të luftojë evazionin fiskal.

 

Ligji i ri i miratuar në Kuvend të mërkurën më 23 shtator, parashikon gjobitjen e një biznesi në masën 500 mijë lekë në rast se kanë kryer një punësim të padeklaruar në administratën tatimore si dhe në të njëjtën masë në rast se paga e deklaruar është më e vogël se sa ajo e paguar realisht.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka diskutuar përgjatë historisë së vet shumë raste të gjobave tatimore dhe, ndonëse pranon se qeveritë kanë të drejtë të ndërmarrin masa të ashpra për llogari të efikasitetit të mbledhjes së detyrimeve fiskale, ka argumentuar gjithashtu se këto masa konsiderohen si joproporcionale dhe në shkelje të ligjit europian në rast se e vendosin tatimpaguesin në gjendje tepër të vështirë.

GJYKATA E STRASBURGUT I QUAN TË GABUARA VEPRIMET NË KUVEND

Gjykata e Strazburgut ka diskutuar çështje të ngjashme në kuadër të nenit 1 të konventës. Neni 1 garanton të drejtën e gëzimit në paqe të pronës, e drejtë kjo që është e balancuar me interesin publik apo të drejtën e shtetit për të mbledhur taksa, kontribute apo penalitete.

Kjo sugjeron se gjobat e miratuara nga parlamenti i Shqipërisë javën e kaluar mund të mos jenë automatikisht në kundërshti me të drejtën europiane, por kanë potencialin për t’u bërë të tilla në rast se, nëse zbatohen, shkaktojnë dëme të konsiderueshme financiare apo vënë në pikëpyetje mbijetesën e biznesit të gjobitur. 

Artikulli paraprakDITA EUROPIANE E GJUHËVE
Artikulli tjetërBELTOJË, KRIM NË FAMILJE, BURRI THER GRUAN