Njerëzit nëpër të gjithë Indinë po kërkojnë të dinë pse liqeni 50,000-vjeçar Lonar, është shndërruar i gjithi në ngjyrë rozë! Ekspertët besojnë se ky ndryshim mund të lidhet me rritjen e nivelit të kripës në ujë, prezencës së algave, ose kombinimit të të dyjave, por ende nuk janë të sigurtë.

Gjeologët, thonë se një fenomen i tillë ka ndodhur dhe më parë, por nuk ishte kaq i dukshëm. Kësaj here, liqeni ka marrë një ngjyrë rozë të fortë, duke u kthyer në atraksion turistik shumë të famshëm.

Mendohet se me shtimin e nivelit të kripës, uji i liqenit është reduktuar dhe si pasojë dhe duke marrë parasysh prezencën e algave të kuqe, ngjyra ka ndryshuar.

Sidoqoftë, shkencëtarët kanë nisur kërkimin për të mësuar se çfarë e ndryshon specifikisht ngjyrën e një liqeni. Liqeni ndodhet 500 kilometra në lindje të Mumbai-it, i krijuar pas goditjes së një meteori në Tokë rreth 50,000 vite më parë. Për njerëzit është vend shumë popullor për t’u vizituar për shkak të miteve që e kanë shoqëruar zonën historikisht, ndërsa për shkencëtarët në të gjithë globin, rast interesant për t’u studiuar.