Shqipëria renditet në vendin e 80-të në Indeksin Vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, një përmirësim prej 19 vendesh krahasuar me një vit më parë, ku ishte e 99-ta nga 180 vendet.

Megjithëse raporti tregon një përmirësim të klimës së përgjithshme, evidentohen problematika. Reporterët pa kufij thotë se ‘liria e shtypit dhe pavarësia e medias në vend kërcënohet nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor i mangët dhe rregullim partiak’.

Në raport thuhet gjithashtu se edhe pse kushtetuta e vendit dhe angazhimet ligjore ndërkombëtare garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme. Një tjetër element që theksohet është se ‘gazetarët që hetojnë krimin dhe korrupsionin janë veçanërisht objektiva të kërcënimeve’.

“Gazetarët që mbulojnë demonstratat dhe operacionet policore ndonjëherë janë viktima të dhunës policore. Por krimi i organizuar përfaqëson një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e gazetarëve. Edhe pse policia kohët e fundit ndërmori hapa për të hetuar sulmet kundër gazetarëve, pandëshkueshmëria për këto krime, e kombinuar me përpjekjet politike për të diskredituar gazetarët, ka krijuar një klimë që ka të ngjarë të inkurajojë sulme të mëtejshme.”, theksohet në raport.

Sa i përket Kosovës, ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në indeks, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete. Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Artikulli paraprakBRITANIA E MADHE DIGJET NË MAJ, REKORD NXEHTËSIE NË PRANVERË
Artikulli tjetërVRASJE NË QYTETIN E SHKODRËS