
31 korriku ishte afati i fundit i vendosur nga Kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave përgjatë rrugëve kombëtare, në zbatim të vendimit për respektimin e distancës prej 20 metrash nga kanalet anësore të rrugëve.Në qarkun e Lezhës janë identifikuar 123 subjekte që rezultojnë se kanë shkelur këtë distancë, ku sipas të dhënave zyrtare, rreth 70% e tyre kanë kryer lirimin e hapësirave në mënyrë vullnetare, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë në shkelje të ligjit.Aksi rrugor Lezhë–Milot përbën një nga segmentet më problematike në këtë drejtim, me numrin më të lartë të subjekteve që ende nuk kanë zbatuar vendimin. Për këtë arsye, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të jetë në terren të hënën, për të ndërhyrë ndaj të gjitha subjekteve që nuk kanë liruar hapësirat sipas afatit të përcaktuar.
Sipas IKMT, ndaj këtyre subjekteve do të ndërmerren masa administrative që mund të përfshijnë gjoba, ndërprerje aktiviteti dhe, në rastet më të rënda, sekuestrim të objekteve apo pajisjeve të vendosura në mënyrë të paligjshme në pronën publike.
Autoritetet apelojnë për bashkëpunim nga të gjitha subjektet, duke theksuar se qëllimi nuk është vetëm zbatimi i ligjit, por krijimi i një ambienti më të sigurt dhe të rregullt për të gjithë përdoruesit e rrugës.


