Tre muaj pas arrestimit është liruar nga burgu Durim Keçi. Ai u arrestua në datë 11 tetor 2017 pas kërkesës së autoriteteve italiane, pasi është dënuar me 9 vite burg për disa vepra penale. Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, por tre muaj më pas është liruar nga Gjykata e Apelit.

E ndërsa gjykata e Shkallës së Parë e la në burg, Apeli para dy ditësh mësohet se e ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës të Keçit duke e liruar nga burgu, ndërsa hetimet do të vijojnë në gjendje të lirë. Mbetet që të shikohen se kush janë argumentet e Gjykatës së Apelit që kanë sjellë lirimin e trafikantit. Keçi, i njohur edhe si i ‘forti’ i Shijakut është dënuar nga Gjykata e Genovas me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale, “Dhunë, kërcënim”, ” Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike“, ” Krime me armë kundër personit”, ” Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe” Shfrytëzim prostitucioni”. Opozita e ka denoncuar rastin, ndërsa ka akuzuar se trafikanti ka lidhje me socialistët, por Keçi në Maj ishte edhe në çadrën e PD. Alibeaj deklaroi sot se e ka liruar Edi Rama nga burgu duke e shpëtuar nga ekstradimi. Njoftimi i policisë në 11 tetor për arrestimin Specialistët për Krimet e Rënda dhe Krimit të Organizuar në D.V.P. Durrës arrestojnë shtetasin Durim Keçi, i dënuar me 9 vjet e 7 muaj burg. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit të Organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës së tyre për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, kanë bërë të mundur arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit: Durim Keçi 42 vjeç, lindur në Shijak dhe banues në Durrës.

Keçi ëshë dënuar nga Gjykata e Genovës/ Itali me Vendimin Nr.SIEP 294/2013 dt.21.02.2014 me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale” Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, ” Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike “,” Krime me armë kundër personit”, ” Pjesmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe” Shfrytëzim prostitucioni” parashikuar në nenet 338, 81, 342, 635/2 , 110, 73 dhe 416 të Kodit Penal Italian.