Nisma e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për transformimin e rolit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, nga këndvështrimi i përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë, është një ide joserioze e cila nuk i kontribuon paqes.

Slavko Simiq, drejtuesi Listës Serbe dhe shef i grupit parlamentar të këtij subjekti në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë rast Lista Serbe nuk do t’i mbështesë ndryshimet e tilla ligjore. “Pasi që Kuvendi i Kosovës tashmë ia ka proceduar projektligjin Qeverisë, unë po shpresoj që Qeveria do të heq dorë që t’ia procedojë sërish Kuvendit. Dje kemi pasur reagimet konkrete të Ambasadës amerikane dhe të NATO-s, si dhe të shumë zyrtarëve të huaj. Jam i sigurt që Qeveria do ta marrë përgjegjësinë dhe atë projektligj nuk do ta procedojë në Kuvend. Është e dukshme që dikush këtu po përpiqet të krijojë fuqi politike”, ka thënë Simiq. Por, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një komunikatë të dërguar për media nga Qeveria e Kosovës, ka theksuar se “avancimi i rolit të FSK-së në Ushtri është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”. Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë e kanë kundërshtuar idenë për avancimin e FSK-së në Ushtri. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se këtë kundërshtim ia ka shprehur edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një bisede telefonike. “Kjo do të ishte shkelje dhe shembje e Rezolutës 1244”, ka thënë Vuçiq. Por, Thaçi është shprehur i vendosur për realizimin e nismës së tij. Ai ka theksuar se Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, të njëanshëm, të pakoordinuar, dhe asnjë veprim antiligjor apo antikushtetues. Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, vlerëson se nisma për transformimin e FSK-së, i jep edhe më tej shkas Listës serbe që të mos kthehet në institucionet qendrore, në të cilat e ka ngrirë pjesëmarrjen që nga tetori i vitit të kaluar. Por, sipas tij, në këtë situatë, pikërisht çështja e transformimit të FSK-së mund të jetë adut për autoritetet e Kosovës që ta kushtëzojnë kthimin e tyre në institucione. “Qeveria në Prishtinë nuk do të heq dorë nga kërkesa për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Tash do të ketë lojë dhe shantazh lidhur me formimin e Asociacionit të komunave serbe. Kjo do ta detyrojë Listën Serbe që të hyjë në institucione”, tha Nojkiq. Në komunikatën e Qeverisë së Kosovës thuhet se Ekzekutivi i vendit, “posa të marrë nga Kuvendi Projektligjin me të cilin propozohet që FSK-së t’i jepet roli i ushtrisë, do ta trajtojë atë sipas rregullores së dikastereve qeveritare, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të ketë mbështetje buxhetore”.

Artikulli paraprakLIDERËT E BE-së TË SHQETËSUAR ME NDIKIMIN E RUSISË NË BALLKAN
Artikulli tjetërVRITEN DY PERSONA DHE PLAGOSET NJË TJETËR NË BAZEL, DYSHOHET SE JANË SHQIPTARË