Llalla: Hetues të ish-sigurimit hartuan reformën në drejtësi, Lu-Vlahutin i zgjodhën vetë. Prokuroria nis hetimet ndaj Kryeministrit Edi Rama

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka bërë një deklaratë të fortë ndaj trupit diplomatik në Shqipëri në lidhje me reformën në drejtësi. I ftuar në studion e emisionit “Opinion”, Llalla tha hapur se hetues të ish-sigurimit të shtetit në kohën e komunizmit kanë hartuar draftin për realizimin e reformës në drejtësi. Këta persona janë zgjedhur nga vet ambasadorët që janë marrë me reformën, në rastin konkret ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE Romana Vlahutin. Kryeprokurori shtoi gjithashtu se i di konkretisht me emra ish-hetuesit e sigurimit që kanë hartuar draftin. Ai tha se ata janë figura të njohura. “Punonjës të ish-Sigurimit kanë hartuar draftin e Byrosë së Hetimit për reformën në drejtësi dhe ambasadorët i kanë zgjedhur këta individë. Kam emra konkretë”, tha kryeprokurori Donald Lu. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet kryesisht ndaj Kryeministrit Edi Rama për falsifikim të dokumenteve shtetërore. Këtë fakt e ka konfirmuar vet kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut tha se hetimi nisi pas deklaratës së ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani. “Po, ka nisur hetimi kryesisht”, u shpreh Llalla. Ylli Manjani deklaroi tre ditë më parë se Kryeministri Edi Rama merr vendime pa bërë fare mbledhje qeverie. Tashmë prokurori do të duhet të sekuestrojë dokumentacionin e mbledhjeve të qeverisë.