Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë prezantimit në Komisionin e Sigurisë, për Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2020”, u shpreh se prioritet është që tu jepet kompetenca të reja policisë për luftën ndaj krimit.

Po ashtu Lleshaj është shprehur që duhet forcuar kapaciteti i policisë shkencore si dhe duhet ndërtuar një laborator. Ndër të tjera Lleshaj është shprehur se buxheti i parashikuar për ministrinë e Brendshme i plotëson kushtet për të realizuar parashikimet e bëra.

” Në 2019 ka përfunduar ndërtimi i repartit special RENEA, po përfundon drejtoria e policisë Shkodër, në 70%. Ka nis puna për projektimin e korpusit të policisë që planifikohet të ndërtohet në 2020 e më tej, ku do jete pjese dhe akademia e sigurisë.

Janë bërë investime për pajisje me armatim dhe pajisje për drejtorin e kufirit. Prioritet është dhënia e kompetencave të policisë për luftën ndaj krimit. Prioritet është forcimi i kapaciteteve të policisë shkencore si ndërtimi i një laboratori.

Prioritet është vlerësimi kalimtar i punonjësve të policisë. Meqë faza e dytë e vettingut do bëhet nga shcba i është dhënë mbështetje buxhetore kësaj strukture.” tha Lleshaj.

Në komisionin e sigurisë, gjatë diskutimeve për Buxhetin 2020, është rikthyer në vëmendje edhe një herë, gazi lotsjellës, që është përdorur jo pak herë nga forcat e policisë për të shpërndarë protestuesit e ndryshe.

Deputeti Lefter Maliqi pyeti ministrin Lleshaj për hedhjen e gazit lotsjellës ndërsa Lleshaj ka thënë se përdorimi i këtij gazi ka shmangur përdorimin e plumbave.

Maliqi: Për gazin lotsjellës që keni hedhur ndaj protestuesve…! Doja të pyesja edhe për orët shtesë të punonjësve të policisë. Po ashtu edhe bashkëpunimin mes jush dhe SHISH. Pyetja tjetër është nëse keni raport për shefa të policisë të përfshirë në çështjet e drogës.

Lleshaj: Bashkëpunimi me SHISH është ndër më të mirët. Orët shtesë për policinë janë paguar të gjitha, ndërsa për sa i përket gazit lotsjellës në konceptin buxhetor ne e kemi gjetur nuk e kemi blerë. Atë e hedh policia. Jam dakort me ju që është hedhur shumë, por ama janë shmangur plumbat.