Zbrazëtia në stadiumin “Loro Boriçi” në këtë sezon nuk ka qenë vetëm për faktin se tifozët e skuadrës së Vllaznisë nuk mbështetin kuqeblutë aq sa kanë bërë edhe më parë.

Shumë prej tyre kanë shprehur pakënaqësi për çmimin e lartë të biletave që është vënë në të gjitha tribunat e këtij impianti dhe grupet e organizuara kanë vënë shpesh si kusht uljen e çmimit për kthimin e tyre në mbështetje të skuadrës se nuk e përballonin dot. Më sa duket, Vllaznia ka gjetur sot zgjidhjen, pasi ka bërë të ditur se ka arritur të bindë FSHF-në, që menaxhon impiantin si dhe biletarinë e tij, për të ulur çmimet për dy prej tribunave ku rrinë zakonisht tifozët shkodranë.

Njoftimi i Vllaznisë

KF Vllaznia njofton të gjithë sportdashësit se pas akordit të gjetur me drejtuesit e FSHF-së, është bërë e mundur që për ndeshjen e kësaj jave me Laçin, të ketë një ulje të çmimit të biletave për tribunat C dhe D të stadiumit “Loro Boriçi”. Çmimi i biletës për këto tribuna tashmë do të jetë 200 lekë të reja. KF Vllaznia në këtë mënyrë bën realitet plotësimin e një prej kërkesave të tifozëve të saj për një ulje të çmimit të biletave dhe ajo që presim tashmë është rritja e numrit të tyre që do të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” për mbështetjen e ekipit të Vllaznisë në një ndeshje shumë të rëndësishme siç është ajo me Laçin që do të luhet ditën e diel në orën 14.00.

Artikulli paraprakVETTINGU, DEBATE MES DEPUTETËVE NË KUVEND
Artikulli tjetërRRËFIM – ARBEN MLLOJA