Teksa na ndajnë më pak se 90 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Lëvizja Socialiste për Integrim prezanton programin e saj politik.

Fjalën hapëse në prezantimin e programit politik të LSI-së, e ka mbajtur ish-deputeti, Edmond Haxhinasto. Ai tha se ky program synon qëndrueshmëri dhe jo një zgjidhje momentale, teksa është ndalur në disa prej pikave kryesore.

“Në planin tonë nuk ka dhe nuk do të ketë zgjidhje momentale, populiste apo klienteliste si mazhoranca, por zgjidhje që synojnë qëndrueshmëri, kështu janë dhe propozimet tona për tërheqjen e investimeve. Shumë nga propozimet tona janë vizionare, i shërbejnë ndreqjes së gabimeve, por krijojnë edhe perspektivë.

Programi ynë synon të eliminojë qeverisjen e trukuara e buxheteve fasadë dhe të bëjë matësin e vetëm koston e jetesës. Rritja e borxhit publik, s’do jetë pjesë e këtij programi.

Programi ynë parashikon uljen e kostos së qytetarëve, duke shtuar më tej zhvillimin e industrisë ushqimore, rritjen e prodhimit vendas që të hanë më mirë e më lirë. Synim është kthimi i besimit te mirëqeverisja. Kanë efekte të menjëhershme, jo premtime për kohën e ardhshme”, tha Haxhinasto.