POLICIA E SHTETIT DO TË RIKTHEJË SËRISH OPERACIONIN MASIV NË TË GJITHË VENDIN. Shumë shpejt pritet të nisë monitorimi i territorit nga ajri për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me kanabis, dhe më pas asgjësimin e tyre. Monitorimi do të realizohet përmes një avioni të posaçëm që do të ofrohet nga policia italiane, e që do të pasohet nga një aksion policor në terren për asgjesimin e tyre.

Gjatë takimit mes përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme Italiane, Policisë së Shtetit dhe Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza, u përcaktuan modalitetet për zhvillimin e misionit të monitorimit nga ajri me avionë të posaçëm për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike Canabis sativa.Me përcaktimin e modaliteteve, së shpejti do tё nisё dhe monitorimi pёrmes avionit, proces i cili do tё pasohet nga veprimet nё terren tё forcave vendore tё policisё tё mbёshtetura nga forcat speciale, me qёllim asgjësimin e sipërfaqeve tё konstatuara. Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato, bёri edhe njё ekspoze tё planit tё veprimit, lidhur me hapat qё do tё ndiqen pёr monitorimin dhe kontrollin e plotё tё territorit, plan i cili po zhvillohet me një intensitet të lartë, ku deri në këto momente nga strukturat e policisë janë asgjësuar mbi 59.000 bimë narkotike kanabis sativa.