Qeveria e Shqipërisë në listën prioritare të angazhimeve ka përfshirë masat kundër terrorizmit, kundër radikalizmit dhe ekstremizmit te dhunshëm. Qeveria e Shqipërisë, ka hartuar një Strategji Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në Nëntor 2015, së bashku me planin e veprimit. Në vitin 2016, Kryeministri ka emëruar Koordinatorin Kombëtar për Çështjet e Ekstremizmit të Dhunshëm (ai dhe Ndihmës i Kryeministrit) Z. Agron Sojati, me qëllim krijimin e mekanizmave ku të angazhojnë aktorët e të gjitha niveleve për një adresim më adekuat të çështjes së parandalimit të radikalizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri.

Strategjia Kombëtare, ndër të tjera parashikon ngritjen e një Qendre Koordinuese kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri. Me datë 13.12.2017, me Vendimin nr. 737 “Për ngritjen e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm” (QKEDH)” Këshilli i Ministrave vendosi të krijohet Qendra, duke filluar me 1 Janar 2018. Në Tetor 2017, në zbatim të Planit të Veprimit të Strategjisë, ka startuar një projekt mbarëkombëtar me të gjitha shkollat në rang vendi të sistemit para-universitar, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit për trajnimin e stafit mësimdhënës për leximin e shenjave të hershme, në lidhje me temat e sjelljes antishoqërore, të radikalizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm në ambientet edukative, si dhe të modifikimit të sjelljes nga ana e mësueseve, në përshtatshmëri me këto shenja. 

Projekti është i hartuar në tre faza kaskadë të shpërndarjes së dijes dhe një fazë përmbyllëse, të përpunimit dhe analizës së të dhënave, si dhe përgatitjes së raportit përfundimtar mbi trajnimin: Aktualisht, projekti “Me Shkollat për Komunitete më të sigurta”, ndodhet në fazën e fundit të kaskades së trajnimeve, e cila do të kulmojë me 12 janar 2018 me trajnimin e të gjitha shkollave dhe mësuesve të ciklit para-universitar në rang Shqipërie, numër ky, që përfshin 2123 shkolla (9 vjeçare dhe të mesme) me rreth 22 000 mësues të trajnuar.

Mbi rreth 2 500 mësues të Qarkut Shkodër, ju bashkuan sot nismës kombëtare për trajnimin një ditor të rreth 22 000 mësuesve në shkallë vendi “Me shkollat për komunitete të sigurta”. Ky trajnim synon të rrisë kapacitetet e të gjithë mësuesve në Shqipëri për identifikimin dhe adresimin e sjelljeve antishoqërore në shkolla. Kjo është hera e parë që një trajnim i këtyre përmasave zhvillohet në vendin tonë me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të shkollave si qendra komunitare, ku fëmijët të ndihen të mbrojtur, të sigurtë dhe të përfitojnë maksimalisht nga një edukim cilësor.

Kjo iniciativë e zhvilluar nga Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe partnerë ndërkombëtarë, realizohet në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit të Qeverisë Shqiptare për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.