Pamja e shtratit të lumit Drin në afersi të Ures së Bahcallekut në Bashkinë e Shkodrës është vërtetë alarmante teksa të dy brigjet e tij janë të “pushtuara” nga mbeturina plastike. Një pjesë e madhe e këtyre mbeturinave qëndrojnë në bimësinë përgjatë shtratit të lumit Drin që nga përmbytjet e viteve të kaluara kur shirat e mëdha shtuan ndjeshëm prurjet e lumit në kohën kur ndodhen edhe përmbytjet.

Ndonëse kanë kaluar disa vite asnjë nismë nuk u mor për pastrimin e shtratit të lumit nga këta mbetje që qëndrojnë të varura në bimësi si një dekor i dorës së njeriut.Prania e mbeturinave nga më të ndryshmet, duke nisur nga plastika e deri tek gomat e automjeteve japin impaktin e tyre negativ në natyrën që përshkojnë.

Kudo nëpër shtratin e këtij lumi gjenden mbeturina që përbëjnë rrezik serioz jo vetëm për ujin por edhe për banorët e qytetit të Shkodrës. Mbeturinat e qytetit nuk grumbullohen me në vendin e caktuar por shkarkohen të gjitha në brigjet e lumit. Parandalimi i ndotjes në zonat urbane është kryesisht një detyrë e publikut. Njerëzit duhet të jenë të informuar në lidhje me mënyrat e duhura për deponimin e mbeturinave.

Në vitin 2014, ish Ministri i Mjedisit Lefter Koka urdhëroi kryetarët e Bashkive për të pastruar mjedisin e njësive që drejtonin, në të kundërt ata do të gjobiteshin. Por edhe kjo nismë nuk funksionoi pasi pushteti lokal ishte i pafuqishëm përballë ndotjes së madhe të mjedisit të tij. Ministria e Mjedisit 6 vite më parë dha vetëm urdhër, duke mos marrë parasysh koston e madhe që i duhej pushtetit vendor në këtë drejtim.