Grumbuj të pafundëm mbeturinash kanë zaptuar një pjesë të madhe të bregut të lumit Kir por edhe më gjërë në Shkodër.

Një gjatësi e konsiderueshme ndodhet e mbushur plot me mbetje të cilat hidhen aty pa kriter dhe pastrohen shumë rrallë duke rritur kështu ndjeshëm ndotjen. Kjo situatë ndodhet në fshatin Kuç të njësisë Guri Zi në bashkinë Shkodër. Prej kohësh sapo futesh në atë fshat një prej pamjeve të para me të cilën përballesh janë mbeturinat mbi lumin Kir.

Persona të papërgjegjshëm të zonës por edhe të tjerë, nga mungesa totale e kontrollit depozitojnë aty sasi mbeturinash duke krijuar kështu një situatë të vështirë për mjedisin. E gjithë ajo sasi e mbetjeve që hidhet aty pa u shqetësuar nga askush përfundon më pas në ujërat e lumit Kir jo vetëm duke e ndotur tej masë atë por duke sjellë edhe probleme të tjera. Një prej shkaqeve që ka ndikuar në devijime të ndryshme të atij lumi, sipas edhe specialistëve të fushës janë edhe mbeturinat që përfundojnë në rrjedhën e lumit Kir. Edhe pse disa herë është bërë thirrje që të mos hidhen aty por edhe të pastrohen diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe kjo situatë përsëritet çdo ditë.

Bashkia Shkodër vetëm pak kohë më parë në një debat me prefekturën e qarkut Shkodër pretendoi se menaxhon mbi 75% të mbetjeve në të gjitha njësitë që tashmë ka nën administrim prej më shumë se një viti. Në fakt realiteti është krejt tjetër nga deklaratat publike të bashkisë sepse në shumë fshatra të ndryshëm, siç është edhe ky rast i fshatit Kuç në Gurin e Zi vuajnë çështjen e pranisë së konsiderueshme të mbetjeve duke u kthyer kështu në një problem serioz për mjedisin dhe qytetarët.

Artikulli paraprakVELIPOJA, BREGU I DETIT DHE RËRA ME MBETJE
Artikulli tjetërPR/BUXHETI, KËSHILLI BASHKIAK FTON QYTETARËT