Në 30 vjetorin e kremtimit të meshës së parë dhe të lumnimit të martirëve shqiptar, në kishën e Shën Mëhillit në Bogë të Malësisë së Madhe u përkujtua Dom Aleksandër Sirdani, i shpallur i Lumë nga Vatikani. Mesha e shenjtë u kremtua nga famullitari dom Nikolin Sheldija i cili tha se dom Lekë Sirdani është një prej kolosëve më të mëdhenj të kishës shqiptare që dha jetën për fe dhe atdhe.

Dom Aleksandër Sirdani përjetoi një kalvar vuajtjesh nga regjimi monist deri sa u vra por ai nuk e mohoi asnjëherë Zotin.

Pas meshës së shenjtë në oborrin e kishës së Shën Mëhillit në Bogë u përurua edhe kryqi i dom Aleksandër Sirdani ndërsa u mbajt edhe një aktivitet artistiko fetar mbi jetën dhe veprën e dom Lekë Sirdanit.

Aleksandër Sirdani lindi në vitin 1892 në Bogë ndërsa jetën e tij ia kushtoi fesë. U arrestua më 27 korrik 1948 pas një meshe që mbajti, me akuzën se kishte përmendur shprehjen “Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”.

Pas kësaj fraze, dom Lekë Sirdani lidhet dhe tërhiqet zvarrë nga Boga në Koplik dhe pas disa orësh tortura, mbytet në një pusetë të ujërave të zeza nga punonjësit e degës së Punëve të Brendshme. Dom Lekë Sirdani ka studiuar në Austri ndërsa shërbeu në disa rajone të Veriut dhe është autor i disa librave.

Artikulli paraprak“DEKRIMINALIZIMI PO PENGOHET”, PD LETËR KRYEPROKURORIT: PO BLLOKON PREJ 1 VITI VERIFIKIMIN E 2 KRYEBASHKIAKËVE ME TË KALUAR KRIMINALE
Artikulli tjetërSHKODËR, BLLOKOHET “NDOC MAZI”, VIJON PROTESTA