Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar dy shtetas për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe. Të arrestuar janë shtetasit Olson Çutaj, 35 vjeç banues në fshatin Bajzë për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike” dhe shtetasi Tonin Curaj, 55 vjeç edhe ky banues në fshatin Bajzë me detyrë kryeplak i Bajzës për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Policia bën të ditur në njoftimin e saj se vijojnë kontrollet e njëpasnjëshme në zbatim të planit të masave për kontrollin e ambienteve të mbyllura dhe të hapura, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  Olson Çutaj dhe Tonin Curaj. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, në ambientin përreth banesës së shtetasit Olson Çutaj kanë gjetur të kultivuar fidanë narkotikë cannabis sativa duke bërë kështu arrestimin e tij.

Ndërkohë sipas burimeve policore kryeplaku i Bajzës, 55 vjeçari Tonin Curaj është arrestuar pasi dyshohet se nuk ka dhënë informacionin e duhur për territorin që ai mbulon sa i përket sipërfaqeve me canabis. Një prej të arrestuarve Olson Çutaj është vëllai i Vilson Çutaj i cili u vra në 3 tetor të vitit të kaluar në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe bashkë me shtetasin Klement Pepaj. Të dy u gjetën të vdekur me plumba në trup afër një parcele me kanabis. Policia pas disa ditësh arriti që të identifikonte autorin e dyshuar të kësaj vrasje të dyfishtë, shtetasin Danjel Pepaj i cili që nga tetori i kaluar nuk është arrestuar dhe vijon që të jetë në kërkim ndërsa dyshohet se autori i dyshuar nuk ndodhet në Shqipëri dhe se mund të jetë larguar menjëherë pas asaj ngjarje të rëndë.

Dy trupat e pajetë fillimisht rezultuan të humbur por pas disa ditësh u gjetën të vrarë afër një parcele. Sipas dyshimeve shkak për vrasjen e Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj ka qenë pikërisht kultivimi i kanabisit në fshatin Vuç Shkurtaj të Malësisë së Madhe. Policia ka tentuar disa herë për arrestimin e autorit të dyshuar por pa arritur që të gjejë vendndodhjen e tij. Disa muaj në paraburgim qëndroi babai i autorit Rrok Pepaj i cili më pas u lirua nga gjykata pasi nuk ka prova se ai mund të ketë patur dijeni për vrasjen që kreu djali i tij.

Artikulli paraprak111 VJETORI I LINDJES SË SHENJTORES NËNË TEREZA
Artikulli tjetërVERMOSHI MIRËPRITI MUZIKËN KLASIKE TË RROK ACADEMY