Vitet e fundit Syri i Sheganit në Malësinë e Madhe është kthyer në një prej pikave më të preferuara për turistët e huaj por edhe vizitorët vendas. Një perlë e natyrës ende e pazbuluar siç duhet Syri i Sheganit është një monument natyror i cili po merr tashmë vëmendjen e duhur nga vizitorët. Një prej banorëve të asaj zone Gjokë Luli shprehet se interesi për Syrin e Sheganit është rritur.

Ndërkohë pandemia në fillim patjetër që ka patur ndikimin e saj ndërsa tashmë kjo situatë ka ndryshuar dhe Syri i Sheganit çdo ditë pret vizitorë.

Ajo që kërkojnë banorët e asaj zone buzë liqenit të Shkodrës janë investimet që mungojnë nga ana e qeverisë shqiptare për t’i dhënë një zhvillim edhe më të madh.

Natyra përreth këtij burimi natyror tek Syri i Sheganit të magjeps duke krijuar një panoramë unike me ajrin e pastër, me tërësinë e bimëve të njoma. “Syri i Sheganit” është vetëm 40 minuta larg nga Shkodra, një destinacion që ia vlen të promovohet e zhvillohet, për një përjetim ndryshe, pasi ofron një pamje të mahnitshme. Ky burim gjendet në afërsi të fshatit Kosan të Bajzës, në bregun verilindor të Liqenit të Shkodrës. Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit. “Syri i Sheganit” del nga çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë në afërsi të liqenit të Shkodrës. Banorët që jetojnë në këtë zonë e shfrytëzojnë këtë vend për të peshkuar, si formën e vetme të jetesës ndërsa tashmë kanë nisur që ta zhvillojnë gradualisht.

 

Artikulli paraprakMAL I ZI HAP KUFIJTË, QYTETARËT SHQIPTARË MUND TË KALOJNË PA TEST PCR
Artikulli tjetërSHKRIMTARI MUSTAFAJ: POLITIKA NË SHQIPËRI TRISHTUESE