“Një marrëveshje për Brexit është e mundur vetëm nëse përputhet me tregun e përbashkët të Bashkimit Europian.” Kështu deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron në një intervistë për BBC me Andrew Marr. Macron u shpreh se Mbretëria e Bashkuar duhet të arrijë marrëveshje të cilat nuk vendosin në rrezik funksionimin e tregut të përbashkët, siç janë akordet e arritura mes bllokut europian dhe Kanadasë ose Norvegjisë.

Presidenti francez shtoi se shërbimet financiare britanike mund të ruajnë aksesin në tregun e përbashkët europian, vetëm duke respektuar parakushtet e domosdoshme.

Më herët gjatë javës, Macron vizitoi Britaninë, ku ai u takua edhe me kryeministren Theresa May.

Gjatë qëndrimit të tij, ai ripërsëriti lidhjet e miqësisë mes dy vendeve, ndërkohë që paralajmëroi zonjën May se Britania duhet të paguajë pjesën që i takon në buxhetin e Bashkimit Europian nëse dëshiron të ketë akses të vazhdueshëm në tregun e përbashkët edhe pas finalizimit të Brexit.

Sa i përket referendumit të mbajtur në vitin 2016 për largimin e Britanisë nga blloku europian, Macron u shpreh se votimi ishte një gabim. “Do të ishte kënaqësi të na bashkoheshit sërish,” deklaroi presidenti francez.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRAMA “TKURR” PREMTIMIN
Artikulli tjetërCHELSEA TREGON DHËMBËT, “LIKUJDON” ME POKER BRIGHTON-IN