
Në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, presidenti francez Emmanuel Macron u prit me ceremoni shtetërore nga homologu Bajram Begaj. Macron mbërriti në ambientet e Presidencës rreth orës 08:30 dhe bashkë me Begajn parakaluan para truprojës së nderit, ndërsa u interpretuan edhe himnet e dy vendeve.
Macron nënshkroi në librin e të ftuarve dhe më pas ceremonia u pasua nga fotoja zyrtare. Më pas dy presidentët zhvilluan një takim ‘kokë më kokë’.
Macron mbërriti në Tiranë një ditë më parë dhe e nisi vizitën e parë zyrtare me një ceremoni në Pallatin e Brigadave ku i ka dorëzuar shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare dekoratën më të lartë të Republikës së Francës “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.


