Mafia shqiptare e drogës në Amsterdam, kapen 200 kg kokainë.
Policia e Amsterdamit ka nxjerrë në dritë të tjera detaje për arrestimin e një grupi shqiptarësh që merreshin me trafikun e kokainës dhe të heroinës, si dhe të pastrimit të parave. Dy prej shqiptarëve u arrestuan në Amsterdam në gusht, ndërsa nga hetimet 4 mujore janë zbuluar se në trafikun e drogave të rënda janë përfshirë më shumë se 16 shqiptarë, të cilët jetonin në apartamente të shtrenjta, kishin shumë para dhe sigurisht edhe drogë. Policia ka sekuestruar 200 kg kokainë dhe gati 3 milionë euro. Në operacionin e organizuar më 19 gusht, me anë të një qeni u gjetën 1.4 milion euro. Një prej të akuzuarve dyshohet të jetë në Shqipëri dhe se është përfshirë në vrasjen e një polici. Një tjetër ishte i kërkuar nga Italia për rrëmbim, trafik dhe përdhunim. Ai mendohet se jeton prej 15 vitesh në Shqipëri. Në aksionin e madh javën e fundit të gushtit të zhvilluar në vende të ndryshme në Amsterdam, 19 persona u ndaluan, 17 prej të cilëve janë ende në paraburgim. Më 22 gusht, pesë shqiptarë dhe një rumun u arrestuan, ndërsa në një banesë u gjetën edhe 16 kg lëndë narkotike. Më vonë, kontrolle u zhvilluan edhe në 13 shtëpi të tjera ku u gjetën drogë dhe para. Në mesin e të pandehurve, shumica janë shqiptarë, të tjerë rumunë, si dhe një grua greke.