Ditën e sotme, Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar se do të dorëzojë një padi penale kundër kreut të KED-së, Ardian Dvorani për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore. Mëngjesin e sotëm para fillimit të konferencës ‘Feja si instrument për paqen’ kreu i shtetit u pyet edhe njëherë mbi këtë cështje, por nuk pranoi që të komentonte duke u shmangur “Sot kemi sjellë udhëheqësit e botës për të sjellë paqen në vend”.

Ilir Meta e akuzon kreun e KED-së Ardian Dvorani se ka shpërdoruar detyrën pasi në datë 22 shtator botoi në Fletoren Zyrtare listat e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Metës kjo është shkelje, pasi ligji përcakton se lista botohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë dhe jo në Fletoren Zyrtare. Por kjo sipas Presidentit ishte bërë me qëllim që Arta Vorpsi të vetëzgjidhej sipas mekanizmit zhbllokues, pasi kreu i shtetit nuk e ushtroi të drejtën e tij. Por edhe mekanizmi zhbllokues thotë më tej Meta, nuk është zbatuar sikur e parashikon ligji.

Të gjithë këto veprime për Ilir Metën, kreu i KED i ka kryer me vetëdije për të diktuar radhën e zgjedhjes duke cënuan legjitimitetin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, uljen e besimit të publikut te kjo gjykatë dhe zbatimin të reformës në sistemin e drejtësisë dhe për këtë arsye, për Presidentin, Ardian Dvorani meriton burgun, pasi e ka cilësuar si mafioz. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Meta do të depozitojë kallëzimin penal.