Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën Fier-Lushnje, në fshatin Vajkan.

Raportohet se një makinë e tipit “BMW” është përplasur me një autobus dhe ka përfunduar jashtë rruge.

“Në datën 06.06.2018, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur “Vajkan”, mjeti tip “Fuoristradë” me drejtues shtetasin B.B, 35 vjeç, banues në Vlorë, është përplasur me mjetin autobus, me drejtues shtetasin A.N, 36 vjeç, banues në Shkodër” informon policia.

Përplasja ka qenë e fortë dhe siç duket nga pamjet në video dëmet në mjete kanë qenë të konsiderueshme.Nga aksidenti është dëmtuar drejtuesi i fuoristradës, i cili ka marrë dëmtime në këmbë.

Shtetasi B.B ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Asnjë nga pasagjerët e autobusit nuk ka lëndime.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje.Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë parakalimi i gabuar.