
Është përkujtuar në Malësinë e Madhe 78 vjetori i vrasjes së Vasil Shantos që një pjesë e cilësojnë si hero të popullit. Aktiviteti u zhvillua nga organizata e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e Malësisë së Madhe në Vrakë, aty ku 78 vite më parë Vasil Shanto mbeti i vrarë nga Xhandarmëria e Shkodrës më 1 shkurt 1944 pasi regjimi fashist i Italisë e cilësonte si terrorist komunist. Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni vlerësoi figurën e Vasil Shantos.
Kryetari i bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj tha se janë respektuar të majtë e të djathtë duke qenë se shpesh ka një debat për këto figura si Vasil Shanto apo edhe për këto data sepse historianët janë të ndarë në dy pjesë, ata që i respektojnë dhe të tjerë që i lidhin me sistemin komunist që u instalua më pas.
Kryetari i organizatës të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Shkodrës Zamir Llazani i cilësoi si të turpshme akuzat e herë pas hershme se Vasil Shanto ka qenë bixhozxhi dhe pijetar.
Vrasja e Vasil Shantos në Malësinë e Madhe përkujtohet çdo vit nga veteranët e LANÇ por edhe nga partia socialiste.






