Një vrasje ka ndodhur në orët e mbrëmjes në fshatin Reç të Malësi së Madhe. 58 vjeçari Sokol Çelaj u qëllua me 6 plumba me armë automatik kallashnikov nga një person ende i paidentifikuar ndërsa një prej plumbave e kapi në pjesën e sipërme të brinjve afër zemrës viktimën. Fillimisht 58 vjeçari mbeti i plagosur rëndë por humbi jetën në spitalin rajonal të Shkodrës duke mos i mbijetuar plagës në trupin e tij. Shtetasi Sokol Çelaj po kthehej në banesën e tij në fshatin Reç të Malësisë së Madhe sëbashku me bashkëshorten me një mjet tip fouristradë ML me targa angleze kur papritur një person i zuri pritë në pjesë fundore të asfaltit pas pyllit të gështenjave duke qëlluar në drejtim të tij. Pasi është plagosur rëndë viktima ka ecur edhe disa metra me mjetin e tij në tentativë për t’u larguar por vetëm pak më tutje ka përfunduar në anë të rrugës. Bashkëshortja ka njoftuar menjëherë ndihmën e shpejtë dhe 58 vjeçari është transportuar drejt spitalit por pa arritur që të shpëtojë. Bashkëshortja e viktimës ka deklaruar se ajo nuk ka kuptuar asgjë sepse autori i ka zënë pritë dhe ka qëlluar në drejtim të tyre menjëherë. “Nuk kam kuptuar asgjë se çfarë ndodhi fillimisht, vetëm kur kam parë bashkëshortin me gjak në trup të plagosur. Ishte shumë errësirë dhe nuk e kam identifikuar autorin por di që ka qenë një person”, ka thënë ajo. Autori që nuk është identifikuar ende nga policia mendohet se ka qenë në këmbë, i vetëm dhe po ashtu dyshohet se është larguar në këmbë mes kodrave dhe maleve të asaj zone. Shtetasi Sokol Çelaj jetonte në Angli prej 25 vitesh. Tre vitet e fundit ka ardhur më shpesh në Shqipëri. Deri më tani nuk ka një pistë konkrete për vrasjen e 58 vjeçarit. E vetmja pistë e momentin është një vrasje që Sokol Çelaj ka kryer kur ka qenë polic në Bajzë në vitin 1989. Vrasja është kryer me armën e policisë ndërsa gjykata asokohe e cilësoi si një vrasje nga pakujdesia ndërsa Çelaj ka bërë 6 vite burg për atë ngjarje. Sapo ka dalë menjëherë është larguar drejt Anglisë duke qëndruar për shumë vite atje. Megjithatë burime pranë familjarëve bëjnë me dije se familja Çelaj është pajtuar me palën tjetër të cilët jetojnë në Itali prej shumë vitesh. Sokol Çelaj tri vitet e fundit ka ardhur më shpesh në Shqipëri ndërsa hera e fundit kur ka hyrë është data 18 gusht e këtij viti ndërsa kishte në përfundim ndërtimin e shtëpisë së tij në fshatin Reç të Malësisë së Madhe. 58 vjeçari ndodhej për një vizitë mbrëmë tek të afërmit e tij dhe duke u kthyer rreth orës 22:50 u qëllua me armë duke humbur jetën. Efektivët kanë sekuestruar disa prej gëzhojave të plumbave mbrëmë ndërsa po punojnë për identifikimin dhe më pas gjetjen e autorit të kësaj ngjarje të rëndë në Malësinë e Madhe.

Artikulli paraprakSHKODËR, NDAHET NGA JETA MUZIKANTI KUJTIM ALIJA
Artikulli tjetërDORËHIQET DEPUTETI MARK MARKU: PD NJË RUTINË HUMBËSE