
Përmbytjet e muajit mars të këtij viti shkatërruan një pjesë të konsiderueshme të bujqësisë në zonën e Nënshkodrës. Siç shihet dhe nga pamjet tokat janë lënë djerrë.
Mali i Jushit është një ndër zonat më të goditura nga ky fenomen i cili është kthyer në refren të përvitshëm, saqë askujt nuk i bën më përshtypje. Kjo nisur edhe nga heshtja që ka mbuluar zonën.
Asnjë banor i fshatit nuk ka dëshirë të flasë sa i takon dëmshpërblimeve sepse çdo kërkesë drejtuar institucioneve të shtetit sipas tyre ka qënë e kotë. Çdo gjë tani i ngjan një vendi të sapo dalë nga lufta.
Burime pranë njësisë administrative të Bushatit thanë për Star Plus se ka përfunduar vlerësimi i dëmëve ndërsa përllogaritja është në fazën përfundimtare.
Formularët e vlerësimit të dëmeve në kultura bujqësore dhe banesa i janë dërguar prefekturës dhe qeverisë.
Në Malin e Jushit janë më shumë se 40 familje të cilat kanë humbur çdo gjë.


