Presidenti malazes Milo Gjukanoviç i ka “treguar dhëmbët” mazhorancës pro-serbe, e cila ka marrë frenat e qeverisjes në vend, duke kthyer Ligjin e Fesë miratuar nga Kuvendi në 29 dhjetor. Menjëherë ka reaguar zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili e ka paralajmëruar me shkarkim. “Nëse ai shkel Kushtetutën, ne do ta zëvendësojmë atë!”, shkroi Abazoviç në Tëitter. Duhet të kujtojmë se Gjukanoviç ktheu të gjitha ligjet e miratuara nga Kuvendi në seancën e 29 dhjetorit, përfshirë Ligjin e Fesë. Ky ligj, i cili shkaktoi pakënaqësi të Kisha Ortodokse Serbe dhe opozitës së atëhershme të udhëhequr nga Fronti Demokratik, hyri në fuqi në 8 janar 2020.

Ligji garantoi lirinë e plotë të fesë për të gjithë besimtarët dhe status të barabartë për të gjithë. komunitetet fetare në Mal të Zi, si dhe lirinë e plotë të besimit për të gjithë qytetarët që nuk janë besimtarë. Por ligji gjithashtu përcaktoi të drejtat pronësore të shtetit mbi ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të Malit të Zi, për çka dhe u refuzua ashpër nga kasta klerikale ortodokse, posaçërisht ajo serbofile. Menjëherë pasi fitoi zgjedhjet në gusht të vitit të kaluar, Abazoviç njoftoi se do të ndryshonte të gjitha dispozitat “e diskutueshme” të ligjit.

Në total, 41 deputetë të koalicioni qeverisës, që përbëhet nga partitë pro-serbe, kanë mbështetur amendamentet e Ligjit për lirinë fetare gjatë votimit më 29 dhjetor, 2020. Opozita ka bojkotuar votimin e këtyre amendamenteve. Zyra e presidentit ka thënë se është e paqartë nëse numri i nevojshëm i ligjvënësve ishte i pranishëm në parlament gjatë votimit. Pas kthimit të Ligjit për liritë fetare nga ana e presidentit, kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç ka shkruar në Twitter se ky “gjest i njeriut të parë të shtetit tregon më së miri se si funksionon bashkëjetesa në praktikë”.

Gjukanoviç udhëheqë me Partinë Demokratike të Socialistëve, që tashmë është në opozitë. Nëse deputetët votojnë sërish për amendamentet, presidenti është i detyruar që t’i miratojë ato. Sipas Ligjit për liritë fetare, që është miratuar vitin e kaluar, komunitetet fetare duhet të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918. Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit – ka thënë se do ta ndryshojë ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.

Artikulli paraprakLEZHË, AKSIDENT ME PASOJË VDEKJEN
Artikulli tjetërAPELI NË STAR PLUS, QYTETARËT NDIHMOJNË FAMILJEN GURRA