
Në poliklinikën e Shkodrës, dhjetëra gra janë paraqitur për të kryer mamografinë falas, në kuadër të fushatës për parandalimin e kancerit të gjirit.
Për shumë prej tyre, shumë prej tyre thonë se është herë e parë që bëjnë një kontroll të tillë, duke pranuar se për vite me radhë e kanë neglizhuar kujdesin për shëndetin e gjirit. Disa të tjera tregojnë se fushata e këtij viti i ka shtyrë të mendojnë më seriozisht për shëndetin e tyre. Ato bëjnë thirrje për të gjitha gratë, që ende hezitojnë, të mos e shtyjnë më kontrollin.
Mjekët në Shkodër theksojnë rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, i cili rrit ndjeshëm mundësinë e shërimit. Ata u bëjnë apel grave mbi 40 vjeç që ta kryejnë mamografinë rregullisht dhe të mos e lënë shëndetin pas dore. Fushata do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në qytetin e Shkodrës dhe zonat përreth, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të nxitur kujdesin ndaj shëndetit të grave.


