Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka bërë një thirrje nga foltorja e kuvendit opozitës, që të bëhet pjesë e përpjekjeve për të nxitur qytetarët të vaksinohen, duke mbrojtur kështu shëndetin e tyre.

“Në luftën për jetën, avantazhi i vetëm që kemi sot është vaksina. Në luftën për jetën, çdo vaksinë e shtuar sot, frenon përhapjen e infeksionit dhe rrezikimin e jetës së dhjetëra njerëzve nesër. Flasim për shëndetin publik, dhe mjafton kjo për t’i dhënë kësaj kauze një dimension që shkon përtej përfitimeve të vogla që sjell retorika e mbushur me akuza pa pikë baze.

Nuk do të ishte turp, as lëshim, as humbje, as dorëzim, as tërheqje, sikur çdonjëri prej 140 deputetëve në sallë, të shfrytëzonte të paktën një herë të vetme, hapësirën në media, në rrjetet e veta sociale, për t’u bërë një thirrje të sinqertë qytetarëve: Vaksinohuni!”, tha Manastirliu.

Manastirliu në fjalën e saj tha se luftës për jetën i bëjnë dëm deklaratat dhe debatet shterpë në kohën që qytetarëve u duhet bërë thirrje për t’u vaksinuar.

“Luftës për jetën, i bëjnë dëm deklaratat e hedhura pa teklif, sa nga dritaret e rrjeteve sociale, e ndonjëherë edhe nga deklaratat e të papërgjegjëshmve për fat të keq edhe në këtë sallë, për “vaksina të pasigurta”. Luftës për jetën e qytetarëve i bëjnë dëm edhe thirrjet për të nxirë dhe shtrembëruar realitetin e spitaleve, duke i bërë njerëzit të hezitojnë, dhe ta mbajnë frymën në spital, atëherë kur mund të jetë tepër vonë.

Edhe debatet shterpë që nuk lënë gjë pa e përdorur për politikën e ditës, apo sinkronin e mbrëmjes, nuk i shërbejnë luftës për jetën, që stafet tona po e zhvillojnë prej gati dy vitesh”, tha Manastirliu.

Artikulli paraprakGLEDIS NANO MERR ZYRTARISHT DETYRËN: BETOHEM SE DO E MBAJ ME NDER FLAMURIN E POLICISË SË SHTETIT
Artikulli tjetërBASHA: QEVERIA KA GËNJYER PËR SHIFRAT E TË VDEKURVE NGA COVID, ISHIN16 MIJË 6 MUAJ MË PARË, JO SHIFRA RRENACAKE E KËTYRE