Në prag të nisjes së Maturës Shtetërore 2025, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me 145 administratorët e provimeve në të gjithë vendin, duke vënë në qendër të vëmendjes rolin kyç që ata mbajnë në mbarëvajtjen e këtij procesi kombëtar.
“Ju që jeni pjesë e rëndësishme dhe faktor kyç për mbarëvajtjen e një prej proceseve më të rëndësishme të sistemit arsimor, Maturës Shtetërore. Matura Shtetërore është një çertifikatë cilësie për sistemin arsimor, një moment i rëndësishëm për nxënësit tanë, për maturantët, pasi ne kemi mundësi që përmes një testi të unifikuar për lëndët që keni në testim, duke filluar nga Gjuha e Huaj, te Matematika, te Gjuha dhe Letërsia dhe te lëndët me zgjedhje, ne të kemi një evidencë të plotë të stadit ku gjendet sistemi arsimor në raport me arritjet.
Prandaj Matura Shtetërore është e rëndësishme në disa aspekte, pikë së pari për të matur arritjet e nxënësve tanë, e dyta për të vendosur urën e komunikimit mes sistemit parauniversitar dhe universitetit, sepse është një moment i rëndësishëm për nxënësit, për prindërit, për të garantuar që përmes këtij çertifikimi transparent, meritokratik, me integritet, t’u hapet rruga për zgjedhjen e degëve të studimit fëmijëve tanë, nxënësve tanë, maturantëve tanë, dhe kjo është shumë e rëndësishme që ne ta garantojmë. Duhet që ju si administratorë të provimeve të Maturës Shtetërore të ruani dhe të jeni garant të këtij procesi.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSULLTANE ÇELA, NJË JETË ME SHTIZA NË DUAR
Artikulli tjetërDOM GJERGJ META TAKON PAPA LEON XIV NË VATIKAN