Nën moton “Për Republikën; Për Kushtetutën; Për Kombin; Për unitetin e popullit” presidenti Ilir Meta thërret shqiptarët të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të hënën e 2 marsit ora 17:00.

Ora News siguron ekskluzivisht dokumentin që presidenca i ka dërguar drejtorit të policisë së shtetit ku i kërkon policise që të merrni masat respektive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Qellimi – “Qëllimi i këtij manifestimi paqësor është ndërgjegjësimi dhe zgjimi i qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur dhe rivendosur sovranitetin e tyre mbi të gjitha institucionet e Republikës, të drejta këto, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe parimeve themelore të njohura prej saj.

Një prej qëllimeve të këtij manifestimi është nënshkrimi nga Presidenti i Republikës përpara sovranit (popullit), të dekretit të parë kundër grushtit të shtetit që kërkon të realizojë Kuvendi njëpartiak në dhunim të Kushtetutës me qëllim kapjen në mënyrë antikushtetuese të institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Gjykatës Kushtetuese.

I gjithë ky ndërgjegjësim do të realizohet përmes mesazheve paqësore publike që Presidenti i Republikës do të japë në këtë manifestim.” .

Motoja – Motoja e këtij manifestimi me qytetarët do të jetë: “Për Republikën; Për Kushtetutën; Për Kombin; Për unitetin e popullit”.

Drejtuesit dhe organizatoret- Drejtuesi i këtij manifestimi paqësor është presidenti Ilir Meta. Organizator dhe persona kryesor ndihmës të këtij manifestimi, do të jenë këshilltaret e Presidentit, Bahri Shaqiri, Dedë Prenga, Shemsi Premçi,

Pjesemarresit- Ne dokument thuhet se numri i pjesëmarrësve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është jashtë çdo parashikimi.

Numri i pjesëmarrësve është jashtë çdo parashikimi.
Numri i personave të tjerë ndihmës në këtë manifestim është në varësi të kontributit të secilit qytetar që do të shprehë dëshirën dhe angazhimin për të marrë pjesë.

Flamuj e lule – Qytetarët janë ftuar të kenë me vehte Flamuj Kombëtar dhe buqeta me lule mimoze të frekëta që paralajmërojnë ardhjen e pranverës Kuq e Zi për të gjithë shqiptarët e bashkuar kudo janë.

Në këtë organizim do të mbajë fjalën e tij Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dhe personalitete të spikatura publike që dëshirojnë të përcjellin mesazhe, frymëzuar nga motoja e këtij manifestimi, por jo politikan, dhe as ushtarakë aktivë.

Policet e paftuar- Ne dokument thuhet se “Punonjësit e Policisë së Shtetit, nuk janë të ftuar të marrin pjesë në këtë manifestim, ndërkohë që Presidenti i Republikës, kërkon nga ana policise që të merrni masat respektive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në datën dhe orarin e njoftuar.”