Kriza me emigrantët ka marrë përmasa shqetësuese, prandaj edhe kërkon një përgjigje globale, thonë drejtuesit e institucioneve dhe të organizatave joqeveritare në Maqedoni, të cilët janë ndër më të angazhuarit në ndihmë të personave në nevojë. Numri i emigrantëve po rritet nga 1,500 deri në 2,000 në ditë. Diten e diele herë të parë në qytetin e Gjevgjelisë, pranë kufirit me Greqinë, kanë ardhur edhe ekipe speciale të policisë dhe të Qendrës për Menaxhimin e Krizave.

Përparësi po u jepet personave të moshuar, grave dhe fëmijëve. Ne dallim nga shumë shtete tjera të Bashkimit Evropian, Maqedonia ende nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete për valën e re të migrantëve që presin para kufijve të Maqedonisë.Organizatat joqeveritare thonë se janë me mijëra refugjatë nga Siria që presin për të depërtuar në Maqedoni, në rrugën e tyre drejt destinacionit të fundit, shtetet e Bashkimit Evropian. Strategjia e re e Brukselit, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të përfshijë edhe Maqedoninë, pasi situata mund të dalë nga kontrolli pas njoftimeve se BE-ja mund të pranojë deri në 60 mijë emigrantë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, numri më i madh i emigrantëve është nga Siria, rreth 20 mijë të evidentuar, por shifra besohet të jetë shumë e madhe për shkak se shumë prej tyre ilegalisht hyjnë në Maqedoni, prej nga aty sërish në mënyrë ilegale kalojnë në Serbi për të vazhduar rrugën drejt vendeve të BE-së.