
Ekipi i notit i Vllaznisë e ka mbyllur me rezultate shumë të mira sezonin veror, duke spikatur edhe në Maratonën Kombëtare të Notit “Idriz Muço 2026”, të zhvilluar në Sarandë. Në këtë aktivitet, Viki Tafrruku u shpall kampione absolute e Maratonës, duke konfirmuar edhe një herë formën e saj të shkëlqyer në garat e notit. Tafrruku ka qenë një prej sportisteve më të spikatura të Vllaznisë gjatë këtij viti, ndërsa në kampionatin kombëtar të zhvilluar pak ditë më parë, u shpall edhe sportistja më e mirë femër për të rejat. Rezultate pozitive regjistruan edhe Skerdi Kroni dhe Joel Golemi, të cilët u renditën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë në kategorinë 2012 e më të vegjël.
Maratona “Idriz Muço” ishte aktiviteti që i dha fund sezonit të garave të verës, një periudhë kjo mjaft e suksesshme për notarët shkodranë. Gjatë muajve të fundit, Vllaznia ka marrë rezultate të rëndësishme në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u ngjitur vazhdimisht në podium. Ekipi i drejtuar nga trajneri Kolë Shiroka tashmë e mbyll këtë pjesë të sezonit me një bilanc pozitiv, ndërsa paraqitjet e Tafrrukut, Golemit dhe Kronit japin sinjale të mira për garat e ardhshme.


