
Shkodra u kthye edhe këtë vit në një pistë të madhe vrapimi. Për të dytin vit radhazi, qyteti kampion i atletikës priti “Maratonën e Shkodrës”, një aktivitet sportiv që bashkoi qindra garues, profesionistë dhe amatorë.
Mbi 500 garues morën pjesë në edicionin e dytë të maratonës. Përveç sportistëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, në start u rreshtuan edhe garues të huaj, duke i dhënë aktivitetit një dimension ndërkombëtar. Synimi i organizatorëve është që kjo garë të mos mbetet thjesht një aktivitet i përvitshëm, por të shndërrohet në një event gjithnjë e më të madh sportiv, duke e vendosur Shkodrën në vëmendjen e aktiviteteve të atletikës.
Garat u zhvilluan në disa kategori dhe distanca. Për moshat 10 deri në 15 vjeç, si dhe 16 deri në 18 vjeç, u zhvillua gara e 2.5 kilometrave, ndërsa për të rriturit ishin në dispozicion distancat 5 dhe 10 kilometra. Ndërkohë, edhe dy kampionët, Elsar Balaj dhe Bledar Mesi ishin shumë të kënaqur me fitimin e garave të tyre.
Me pjesëmarrjen në rritje dhe praninë e sportistëve nga vende të ndryshme, “Maratona e Shkodrës” synon të kthehet në një nga aktivitetet më të rëndësishme të kalendarit sportiv të qytetit dhe një event që çdo vit tërheq gjithnjë e më shumë garues.


