Shkodra po bëhet gati për edicionin e dytë të Maratonës “Shkodra 2026”, një aktivitet që këtë vit pritet të sjellë në qytet rreth 500 pjesëmarrës nga Shqipëria, rajoni dhe vende të ndryshme të botës. Gara do të zhvillohet më 4 tetor, nën organizimin e Shoqatës së Atletikës Vllaznia, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Atletikës. Kryetrajneri i Vllaznisë në atletikë, Albert Marashi, e cilëson këtë event si një aktivitet madhor për qytetin, ndërsa thekson se regjistrimet kanë ecur sipas pritshmërive.

Në këtë edicion do të jetë pjesë e garës edhe një prej figurave më të njohura të atletikës shqiptare, Luiza Gega. Krahas saj, në Shkodër pritet të garojë edhe atletja nga Kosova, Gresa Bakroçi, ndërsa pjesëmarrësit vijnë nga rreth 20 shtete. Sipas organizatorëve, ndër garuesit më të largët janë sportistë nga Argjentina dhe Afrika e Jugut.

Deri pak ditë para mbylljes së regjistrimeve, numri i pjesëmarrësve ka shkuar në rreth 500, ndërsa synimi i organizatorëve është që në vitet e ardhshme ky aktivitet të zgjerohet edhe më shumë. Maratona do të përfshijë disa kategori dhe distanca, nga 2.5 kilometra për grupmoshat e reja, deri në 5 dhe 10 kilometra për kategoritë e tjera. Nisja do të bëhet pranë Bashkisë Shkodër, ndërsa itinerari do të përshkojë disa prej rrugëve dhe pikave kryesore të qytetit, duke e kthyer garën edhe në një mënyrë për të promovuar Shkodrën përmes sportit.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakNIS KRASITJA E PEMËVE NË UNAZËN E VOGËL
Artikulli tjetërZJARR I MADH NË PIRAJ TË LEZHËS, FLAKËT RREZIKOJNË BANESAT DHE KISHËN E FSHATIT