
Deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur në rrjetet sociale si “Neomalësorja”, ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke deklaruar se do ta ushtrojë mandatin si deputete e pavarur.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku bëri të ditur vendimin e saj, duke theksuar se idealet dhe vlerat që përfaqëson kanë qenë të pandryshuara edhe përpara angazhimit të saj në politikë.
“Prej sot jam deputete e pavarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkruan ajo.
Vendimi i deputetes vjen pas një periudhe debatesh dhe qëndrimesh të ndryshme nga ato të shumicës socialiste për disa çështje të caktuara. Koçeku ka shprehur publikisht rezerva lidhur me ndërhyrjet për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth dhe Rrjoll, si edhe për tema të tjera që kanë ngjallur diskutime në opinionin publik.
Po ashtu, ajo nuk votoi projektligjin për barazinë gjinore dhe në disa raste ka mbajtur qëndrime që nuk kanë përkuar me qëndrimin zyrtar të Partisë Socialiste.
Me këtë vendim, Marjana Koçeku do të vijojë aktivitetin e saj në Kuvendin e Shqipërisë si deputete e pavarur.






