
Pas protestës së zhvilluar në Tiranë, aktivistë shqiptarë dhe italianë u zhvendosën drejt Gjadrit, ku zhvilluan një tubim ne dyvjetorit e marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni.Me pankarta në duar dhe thirrje të ndryshme kundër marrëveshjes, protestuesit bllokuan për rreth 60 minuta rrugën në hyrje të kampit të Gjadrit, ku nuk u lejua as lëvizja e autobusit që transportonte punonjësit e kësaj strukture.
Pavarësisht premtimeve të qeverisë italiane se kampi në Gjadër do të ishte funksional dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, projekti ka dështuar të përmbushë qëllimin e tij, u shprehën aktivistët. Sipas tyre, vijohen të shkelen të drejtat e emigrantëve që ndodhen ende brenda kampit, ndërsa kërkuan transparencë dhe respektim të plotë të të drejtave njerëzore.
Protesta e aktivistëve shqiptarë dhe italianë u monitorua nga forcat e policisë, ku fatmirësisht nuk u regjistruan incidente. Aktualisht, në kampin e Gjadrit ndodhen rreth 30 emigrantë të dëbuar nga Italia, në pritje të procedurave për t’u riatdhesuar në vendet e tyre të origjinës.






