Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se në shkurt të vitit të ardhshëm do të nisin negociatat për një marrëveshje globale, që synon “shkatërrimin” e koronavirusit.

Në shkurtin e vitit të ardhshëm do të nisin negociatat për të vendosur një marrëveshje të përbashkët globale midis shteteve për të luftuar COVID-19. Ky lajm është bërë i ditur nga një njoftim i OBSH-së. Ajo ka thënë se një marrëveshje e tillë midis shteteve është e nevojshme dhe duhet të nënshkruhet në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë kriza globale e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Në negociatat e zhvilluara këtë javë është thënë se shtetet janë pajtuar “për të zhvilluar draftin e parë të marrëveshjes, që synon mbrojtjen e botës nga pandemitë në të ardhmen”.

Ky njoftim vjen disa ditë para përhapjes masive të koronavirusin në Kinë. Si pasojë e këtij virusi kanë vdekur 6.6 milionë njerëz, derisa kriza globale u ka kushtuar ekonomive me triliona dollarë.

“Ndikimi i pandemisë në jetët e njerëzve, në ekonomi dhe shoqëri, nuk duhet të harrohet kurrë”, ka thënë OBSH.

Planet për miratim të tekstit të marrëveshjes pritet të finalizohen deri në pranverën e vitit 2024. Për koronavirusin e ri – që shkakton sëmundjen COVID-19 – është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të shoqëruar më pas nga India dhe Brazili.