Në përfundim të punimeve të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, mbajtur në Paris, kryeministri Edi Rama veç mbështetjes së BE-së me financime për infrastrukturën në Shqipëri dhe rajon u ndal dhe tek mbështetja e dhënë për vijimin e proceseve integruese.

“Ne jemi shumë të kënaqur që u vlerësua maksimalisht serioziteti i treguar nga qeveria shqiptare në programimin e kësaj faze. Por akoma më shumë jemi të kënaqur që mesazhi ynë për të mos rreshtur në procesin e integrimit dhe për të shkuar më tutje pa dyshim që pati jehonë pozitive, jo në këtë rast thjesht për ndonjë meritë, por thjesht sepse qoftë kancelarja Merkel, qoftë presidenti Hollande u treguan shumë të vendosur që ta çojmë përpara procesin e integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian”, deklaroi Rama. Kryeministri Rama bëri të ditur dhe një tjeter projekt mes vendeve të Ballkanit perëndimor, për të cilin është rënë dakord dhe pritet të nis zbatimin në shtator. “Një plan veprimi për heqjen e barrierave jotarifore dhe lehtësimin maksimal të tregtisë dhe të transportit mes vendeve tona. Është një plan që ne e kemi propozuar nisur nga eksperienca shumë pozitive mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është një plan i përqafuar menjëherë nga qeveria e Serbisë dhe qeveritë e tjera e ne po përgatitemi ta lançojmë së bashku në muajin shtator, të bindur që do të sjellë një impakt pozitiv në rritjen e përbashkët të volumeve tregtare në rajon dhe padyshim dhe në rritjen ekonomike të vendeve të rajonit”, saktësoi Rama. Një tjetër pikë e rëndësishme ishte dhe nënshkrimi i marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor. Zyrë kjo që u vendos të ngrihet në Tiranë, për të financuar projekte që rrisin bashkëpunimin e të rinjve në rajon, si dhe mundësitë për kualifikime profesionale.