
Shqiptarët po martohet gjithnjë e më pak dhe po ndahen gjithnjë e më shumë. Shifrat më të fundit të INSTAT tregojnë se numri i martesave ka rënë në nivelin më të ulët historik, ndërsa divorcet kanë marrë drejtim të kundërt, duke arritur kulme që nuk janë parë kurrë më parë.
Një në tre martesa kanë përfunduar në divorc në vitin 2024, sipas shifrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Të dhënat për martesat konfirmojnë se Shqipëria nuk po përballet vetëm me një valë ndarjesh, por edhe me një tkurrje të fortë të vetë institucionit të martesës.
Nga rreth 29 mijë martesa në vitin 1990, niveli mbetet relativisht i qëndrueshëm gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, me luhatje rreth 25–27 mijë në vit, përpara se të nisë një rënie strukturore pas vitit 2004.
Një ndërprerje e fortë vihet re që nga mesi i viteve 2000, kur martesat bien nën 22 mijë dhe nuk arrijnë më të rikuperojnë nivelet e mëparshme, pavarësisht disa rikthimeve të përkohshme.
Pas vitit 2015, trendi bëhet qartësisht negativ, me një përshpejtim të rënies pas vitit 2019. Pandemia e thellon më tej këtë prirje, por rënia nuk ndalet as pas saj.
Viti 2024 shënon minimumin historik me vetëm 16 120 martesa, gati gjysma e nivelit të fillimit të viteve ’90.
Nga fundi i viteve ’90, kur treguesi zbriti në minimumin historik prej 5.9 në vitin 1997, divorci nisi një ngjitje të pandalshme gjatë viteve 2000 dhe 2010, duke kaluar mbi 20 ndarje për 1 000 martesa që pas vitit 2018.Raportimi më i fundit tregon se viti 2024 shënon një rekord absolut prej 29.8 divorceve për 1 000 martesa, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vend.
Ekspertë të familjes dhe politikave sociale vlerësojnë se rritja e divorceve është ndikim i drejtpërdrejtë i disa faktorëve kryesorë: urbanizimit të shpejtë, emigracionit masiv të brezave të rinj, presionit ekonomik mbi familjet e reja dhe një normë sociale që ka evoluar drejt mirëqenies individuale, mbi mbijetesën kolektive.






