Ministria e Brendshme dhe prokuroria e Gjirokastrës kanë shpallur embargon në kufi për rreth 60 shtetas grekë, të cilët janë skeduar nga organet ligjzbatuese Shqiptare si persona të rrezikshëm për sigurinë kombëtare.

Numri prej 60 personash është në rritje e sipër, pasi strukturat e hetimit të krimit si Shërbimi Informartiv Shtetëror dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Gjirokastrës, gjatë këtyre ditëve kanë qënë në punë e sipër për identifikimin e grekëve që konsiderohen si jo të përshtatshëm për të hyrë në Shqipëri.

Nacionalistët grekë kanë planifikuar të kthehen më 8 dhjetor 2018 për të mbajtur një ceremoni përkujtimore në fshatin Bularat në Gjirokastër, për nder të Kostandinos Kacifas. Emri i këtyre personave është çuar në të gjitha pikat kufitare Shqiptare, me qëllim moslejimin e individëve grekë të hyjnë në territorin Shqiptar.

Të dyzetat që mund të sjellin trazira
Ky mobilizim po kryhet pasi këto ditë në Gjirokastër, dhe më konkretisht në fshatin Bularat, familja Kacifa, do organizojë të dyzetat e djalin të tyre Kostandinos Kacifas, i vrarë gjatë një shkëmbim zjarri me efektivët e RENEA-s.

Pikërisht në përkujtimin e Kacifasit, ka informacione se ekstremistët grekë po organizohen me qëllim matanë kufirit, për të udhëtuar në Shqipëri, ku synimi i tyre është të marin pjesë në ceremoninë përkujtimore.

Por për shkak të shmangies të çdo situate të pakëndshme, trazira dhe lëshimit të thirjeve antishqiptare nga ana e nacionalistëve grekë, ministria e Brendshme, ka marrë të gjitha masat që të parandalojë skena të ndodhura gjatë ceremonisë së varrimit të Kacifasit në Bularat të Gjirokastrës.

Mësohet se ditën kur pritet të vërshojnë ekstremistët grekë drejt pikës doganore në Kakavijë, në këtë pikë doganore do merren masa të përforcuara sigurie me efektivë të RENEA dhe FNSH.

Embargo edhe për eurodeputeten qipriote
Në 10 nëntor 2018 Shqipëria shpalli dhjetëra persona grekë non grata, mes tyre ishte dhe emri i eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous, pas pjesëmarrjes së saj në ngjarjet e fundit në Bularat. Glevin Dervishi, këshilltar i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, tha në 10 nëntor 2018 se ky vendim vinte pas sjelljes së përsëritur të eurodeputetes.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë e konsideron ngjarjen në Bularat si të orkestruar për të sfiduar sigurinë publike në territorin shqiptar.

Tirana zyrtare pohon se është e vendosur për të forcuar stabilitetin rajonl dhe marrëdhëniet me Greqinë, por nuk do të tolerojë për asnjë arsye shfaqje sfiduese ndaj rendit kushtetues apo thirrje cenuese për tërësinë territoriale në Republikën e Shqipërisë.

“Ky vendim vjen si reagim i detyruar kushtetues e ligjor i institucioneve të Republikës së Shqipërisë, ndaj shfaqjeve të përsëritura ekstremiste të eurodeputetes Eleni Theocharous.

Prononcimet e saj që nxisin urrejtjen, cënimin e rendit kushtetues të vendit tonë, ngritjen e pretendimeve territoriale ndaj Republikës së Shqipërisë, nuk mund dhe nuk do të mund të bëhen më në tokën shqiptare.

Mbështetur në procedurat diplomatike dhe konsullore, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, do të përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike vendimin për të ndaluar hyrjen e mëtejshme në Shqipëri të Eleni Theocharous”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Para dy ditësh Parlamenti Europian ka miratuar një amendament lidhur me vrasjen e ekstremistit grek të vrarë në Bularat, Konstantinos Kaçifa.

Amendamenti i PE-së është propozuar nga deputeti grek i PASOK-ut, Nikos Androulakis, dhe është mbështetur edhe nga eurodeputeti dhe raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. Sipas këtij amendamenti, PE pret që shteti shqiptar të kryejë një hetim të plotë lidhur me rrethanat e vrasjes së Kacifas policia shqiptare.

Vrasja e Kacifas
Kostandinos Kacifas u vra gjatë një përplasje me armë nga RENEA në 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës. Kacifas më 28 tetor që është dita e festës kombëtare greke që përkujton

fillimin e lugftës me Italinë ka qëlluar me kallashnikov ndaj një patrulle policie që ndodhej në fshat duke rrezikuar jetën efektivëve, që fatmirësisht shpëtuan, pasi plumbat goditën edhe automjetin e policisë ku ata ndodheshin.

Siç u vërtetua edhe nga video që publikoi fillimisht Report TV, Kacifas ka qëlluar disa herë në mes të fshtatit me kallashnikov dhe më pas është larguar.

Policia e Gjirokastër duke parë rrezikshmërinë e këtij personi thirri në ndihmë focat RENEA, por Kacifas qëlloi me armë edhe ndaj tyre. Në këtë pëprjekje me armë ai është vrarë nga RENEA.

Artikulli paraprakTRURI I FEMRAVE ËSHTË MË KOMPLEKS SE I MESHKUJVE
Artikulli tjetërMESFUSHORI I KOMBËTARES SHPALL “DIVORCIN” NGA KLUBI GREK