
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin me iniciale A.Th., i akuzuar për veprën penale “Mashtrimi, i kryer më shumë se një herë”.
Sipas organit të akuzës, në kuadër të procedimit penal nr. 1751 të vitit 2024, ka rezultuar se i pandehuri, në cilësinë e administratorit të një shoqërie tregtare që ushtronte aktivitet në fushën e trajnimeve dhe ndërmjetësimit për studime jashtë vendit, dyshohet se ka mashtruar në mënyrë të përsëritur disa shtetas të huaj.
Nga hetimet është dokumentuar se personat e dëmtuar kanë kryer pagesa për procedura aplikimi dhe programe studimi, bazuar në premtime për shërbime që sipas Prokurorisë nuk janë realizuar në përputhje me marrëveshjet e lidhura. Në disa raste, shërbimet e premtuara nuk janë ofruar fare, ndërsa në raste të tjera janë ofruar vetëm pjesërisht, duke u shkaktuar dëme pasurore shtetasve të huaj.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka vendosur dërgimin e çështjes në gjykatë, ndërsa thekson angazhimin për mbrojtjen e interesave pasurore të qytetarëve dhe ndjekjen penale të rasteve të mashtrimit.


