Policia e Sarandës ka arrestuar dy grabitësit e një marketi, për ngjarjen e ndodhur më datë 5 dhjetor 2017 në rrugën ”Mitat Hoxha”. Si autor është arrestuar 48-vjeçari Leonard Dano banues në Sarandë.

Sipas policisë 48 -vjeçari ka thyer portën prej xhami të marketit në pronësi të shtetasit E. L. duke vjedhur paketa, 12.000 lekë, 350 euro si dhe disa shishe me pije të ndryshme alkoolike. Por, sipas pamjeve te kamerave te sigurisë të siguruara nga Saranda Ëeb në market kanë hyrë dhe kanë vjedhur 2 persona të tjerë më parë, ndërsa më pas është futur Leonard Dano. Personi i arrestuar është i alkoolizuar dhe ka hyrë në market pasi hajdutët ishin larguar. Nga pamjet e kamerave duket se 48 vjeçari i dehur ka hyrë dhe ka marrë vetëm një shishe pije alkoolike.

NJOFTIMI I POLICISË PËR NGJARJEN: Sarandë-Lidhur me Njoftimin për Shtyp të dhënë më datë 05.12.2017, nga Policia ku bën fjalë për vjedhjen e një marketi në rrugën ”Mitat Hoxha”, në Sarandë, bëjmë me dije se : Në vijim të veprimeve hetimore të kryera prej Policisë duke bërë edhe kqyrjen e kamerave të marketit, ka rezultuar se në market kanë hyrë tre shtetas të cilët kanë vjedhur, ku njëri prej tyre ka rezultuar të jetë shtetasi L.Dano, 48 vjeç, (të cilit Policia i ka gjetur dhe sekuestruar si prova materiale disa shishe me pije alkoolike të marra në marketin e vjedhur). Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e këtij shtetasi dhe ditën e djeshme ka marrë Vendimin Nr.2107 datë 08.12.2017, ku ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest me burg” ndaj tij për veprën penale ”Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Ndërkohë Policia po vijon hetimet për identifkimin dhe kapjen e dy shtetasve të tjerë, autor të vjedhjes së marketit në pronësi të shtetasit E. L.