Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri foli për masterplanin e gazit në vend duke thënë se ky është një plan afatgjatë dhe aktualisht janë duke u hedhur piketat për një zhvillim që mund të zgjasë deri në 30 vite.
Ministri Gjiknuri ndër të tjera përmendi edhe termocentralin e Vlorës, duke thënë se ekziston një projekt në masterplan për ta vënë në punë këtë termocentral. “Një projekt në masterplan është vënia në punë e termocentralit të Vlorës, pasi ka ngelur në një projekt fantazmë që ha paratë e shqiptarëve. Aty është bërë një investim i madh dhe ne nuk duam ta anashkalojmë. Lidhja me tubacionin e gazit është një mundësi dhe po e shqyrtojmë këtë edhe me partnerët ndërkombëtar”, tha ministri. Gjiknuri tha se qëllimi i masterplanit është t’i prezantohet të gjitha palëve të interesuara, ku sunohet të rriten edhe investimet në këtë drejtim. Ai theksoi gjithashtu se po punohet edhe me vendet fqinje si për shembull me Malin e Zi për ndërlidhje të mëtejshme. “Ne nuk jemi vend i gazifikuar, Mali i Zi gjithashtu dhe po punojmë për këtë. Gjithashtu po punojmë edhe me Kosovën dhe presim të marrim financim për të bërë studimin e fizibilitetit për gazifikim”, tha Gjiknuri.