Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar përmes rrjetit social në lidhje me protestën e maturantëve dhe shqetësimin e tyre për testin e matematikës.

“Të dashur maturantë, Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës.

Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit. Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës!- shkruan ministrja e arsimit Evis Kushi.

Ndërkohë, pas protestave të maturantëve ka dalë në një deklaratë për mediat Qendra e Shërbimeve Arsimore. Përfaqësuesja e QSHA bëri të ditur se teza e provimit më Matematikës ishte në nivel mesatar.

Drejtuesja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Rezana Vrapi tha se do të shihen me vëmendje të gjitha pyetjet e vështira dhe përgjigjet e maturantëve ne këtë provim, ndërsa zbuloi se kur do të dalin edhe rezultatet e provimeve të tjera.

Pretendimet e përfaqësuesve të Qendrës së Shërbimeve Arsimore janë se në tezën e provimit të Matematikës nuk kishte pyetje jashtë programit mësimor të zhvilluar në klasa, ndërsa shprehen se qëndrimet e maturantëve janë të pabaza.

Artikulli paraprak“PROVIMI ISHTE BOMBË”, MATURANTËT SHKODRANË NË PROTESTË
Artikulli tjetërGJONAJ TAKIM ME PROKURORË E GJYQTARË NË SHKODËR