Maturantët kanë vijuar protestën e tyre në ditën e dytë para Ministrisë së Arsimit, në shenjë kundërshtimi për testin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, pasi sipas tyre ishte jashtë programit.

Protestuesit, ndryshe nga dje, ditën e sotme kanë bllokuar rrugën e Durrësit, ku kërkojnë nga ministria plotësimin e dy kërkesave: rivlerësimin e testit të Gjuhës dhe Letërsisë dhe uljen e pragut për notën 9 dhe 10. Maturantët thonë se atyre që po protestojnë po i shënohet emri dhe e cilësojnë si një presion këtë veprim

Maturantët kanë përgatitur edhe draftin me të gjitha problematikat që ata mendojnë se kishte testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke sjellë edhe pyetje konkrete, të cilat janë pakuptimta dhe thuajse të pamundura për t’iu përshtatur një alternativë.

Maturantët fillimisht nuk janë lejuar të hyjnë te Ministria e Arsimit për ta dorëzuar draftin, por më pas një grup përfaqësues i tyre kanë mundur të hyjnë. Ky draft përmban 11 pika në total që sipas tyre ministria e arsimit duhet që t’i plotësojë ndërsa në fund të draftit thuhet se ndjehen të abuzuar dhe të tallur në përballje me tezën e paraqitur ditën e provimit në 11 qershor.