
Maturantët në Shkodër i janë nënshtruar provimit të fundit të maturës shtetërore. Drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër Brisela Kadia thotë se 1601 maturantë të shkollave të mesme të Shkodrës dhanë provimin e lëndës me zgjedhje.
Ndërkohë drejtorja Kadia bën të ditur se kanë dalë rezultatet e provimit të gjuhës së huaj dhe gjuhës shqipe e letërsisë dhe maturantët e Shkodrës sipas ZVA kanë arritur rezultate relativisht të mira.
Pavarësisht se rezultatet e deritanishme cilësohen të mira, një vit më parë një shqetësim për arsimin publik ishte se shkollat private kishin rezultatet më të larta. Kësaj here është ende e paqartë se si është ky raport.
Nga analiza vjetore për vitin e kaluar rezultoi se vetëm 68.23% e maturantëve e ndoqën arsimin e lartë në Shqipëri. Këtë vit ende nuk dihet se sa do jetë kjo shifër ashtu siç nuk është vendosur akoma edhe numri i atyre maturantëve që zgjedhin unversitetet e huajam shifra këto që nga viti në vit janë përkeqësuar.
Vitin e kaluar në provimet e maturës shtetërore në shkollat e Shkodrës morën pjesë 1755 maturantë ndërsa këtë vit janë 1601, pra 154 më pak apo 229 më pak se viti 2021, shifër kjo që vjen vetëm duke u ulur duke u kthyer në një shqetësim për arsimin e mesëm.


