Paulin Ndoja do të përcillet sot për në banesën e fundit me të gjitha nderimet. Ditën e sotme nga ora 10:00 deri në orën 12:00 po zhvillohen homazhet në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër.

Legjenda e portës shkodrane u nda nga jeta 4 ditë më parë në Itali, në moshën 79-vjeçare dhe trupi i tij mbërriti në Shkodër mbrëmjen e së dielës.

Ndarja nga jeta e legjendës së portës kuqeblu Paulin Ndoja ka qenë një lajm i trishtë për të gjithë opinionin sportiv shkodran dhe jo vetëm.

I lindur më 19 dhjetor 1945 në Shkodër, Ndoja nisi rrugën e tij futbollistike në ekipin e të rinjve të Vllaznisë, nën drejtimin e trajnerit Xhelal Juka, ku shfaqi shpejt një talent të jashtëzakonshëm mes shtyllave. Në vitin 1965, në moshën 20-vjeçare, debutoi me ekipin e parë të të rriturve, duke formuar një brez të artë bashkë me emra të njohur si Sabah Bizi, Halil Puka, Zyhdi Basha dhe të tjerë. Ai spikati menjëherë për vendosmërinë, reflekset dhe qetësinë në portë, duke u kthyer në një pritës të shkëlqyer penalltish, thuhet se priti mbi 25 penallti gjatë karrierës së tij.

Po atë vit, Ndoja ndihmoi Vllazninë të fitojë Kupën e Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një kapitulli të ndritur në historinë e klubit. Pas një ndërprerjeje për shërbimin ushtarak në Skrapar, ai u rikthye dhe ishte sërish vendimtar në suksesin e Vllaznisë që në sezonin 1971–1972 fitoi si kampionatin kombëtar, ashtu edhe Kupën e Shqipërisë.

Gjatë jetës së tij është vlerësuar me tituj të shumtë, ndër të cilët:

“Mjeshtër i Merituar i Sportit”,

“Nderi i Sportit Shqiptar”,

“Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës”,

Çmimin “Palok Nika”,

si dhe përfshirjen në “11-shen më të mirë të Vllaznisë së shekullit XX”.

Në vitin 2011, mori edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Artikulli paraprakNDËRRON JETË NË MOSHËN 88-VJEÇARE PAPA FRANÇESKU
Artikulli tjetërNDARJA NGA JETA E PAPA FRANÇESKUT, RAMA MBAN NJË MINUTË HESHTJE NË TAKIMIN NË KAVAJË: ISHTE NDRYSHE, ISHA NJË RAPORT PERSONAL ME TË