Veri i Kosovës sot voton për zgjedhjet e parakohshme lokale. Ashtu siç e përcakton Kodi Zgjedhor, 19 qendrat e votimit u hapën në orën 07:00, ndërkohë që qytetarët do të votojnë për të zgjedhur drejtuesit lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore. Të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej tyre të vendosura në kontejnerë. Numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë, sipas KQZ-së, është 45.095. Pritjet janë që pjesëmarrja të jetë e ulët, meqë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila vetë nuk do të marrë pjesë në zgjedhje – ka bërë thirrje për bojkotim të procesit.

DEKLARATA E KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e dytë në Ditën e Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se procesi zgjedhor në këto katër komuna është duke shkuar në rregull dhe pa ndonjë pengesë. Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 11:00 në komunën e Leposaviqit kanë votuar 28 votues (0.21%), në komunën e Zubin Potokut 65 votues (1%), në Zveçan 29 votues (0.41%) dhe në Mitrovicën e Veriut 191 votues (1.05%). Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Konferenca e tretëtë e KQZ-së do të mbahet në orën 15:30, në të cilën do të bëhet e ditur ecuria e procesit të votimit dhe pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje.

THIRRJET
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë në zgjedhjet e 23 prillit. Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.

“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.

Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar. Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës – Lista Serbe – nuk merr pjesë në zgjedhje, dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.

Artikulli paraprakKANDIDATI BENET BECI VIZITË NË FAMILJEN NARAÇI
Artikulli tjetërKANDIDATI I KOALICIONIT ”BASHKË FITOJMË” BARDH SPAHIA TAKIM ME BANORËT E LAGJES NUMËR 5